Kërko

Shporta e blerjeve

Artikuj të ruajtur

Ju nuk keni shtuar ende asnjë artikull në faqerojtësit tuaj!

Shfletoni artikujt
RAJON/BOTE 3 MIN LEXIM

Alarm në Kremlin: Bie mbështetja për Putinin

Besueshmëria e presidentit rus Vladimir Putin vazhdon të bie për të shtatën javë radhazi, për shkak të rritjes së sulmeve ndaj internetit dhe bllokimit të Telegramit.


Në javën nga 12 deri më 19 prill, vlerësimi i punës së Putinit ra edhe për 1.1 pikë dhe për të katërtën javë radhazi arriti një nivel të ri rekord të ulët që nga fillimi i luftës – 65.6%, njoftoi qendra analitike VTsIOM. Që nga fillimi i prillit, rejtingu i Putinit ka rënë me 4.5 pikë, nga fillimi i marsit – me 7.9 pikë, ndërsa në krahasim me fillimin e vitit, kur nisi vala e rënies, për 12.2 pikë.


Si rezultat, rënia e “miratimit” të Putinit është më e theksuara që nga viti 2018, kur Kremlini njoftoi rritjen e moshës së pensionit: asokohe, në kulmin e saj, rejtingu ra me 19 pikë (nga 81.5% në mes të majit 2018 në 62.5% në fillim të korrikut). Madje edhe gjatë mobilizimit në vitin 2022, rejtingu i Putinit nuk ra aq shpejt (4.7 pikë). Një rënie më e vogël u shënua gjatë kohës së Dmitry Medvedev në vitin 2008, gjatë luftës me Gjeorgjinë dhe krizës financiare globale (11.7 pikë).


Ajo që shihet në të dhënat e VTsIOM nuk është më një gabim statistikor, por një simptomë, konsideron politologu Ilya Grashchenko. „Shoqëria fillon të lodhet… kufizimet po shtohen, asnjë përmirësim nuk shihet në horizont, dhe negativiteti nuk është më margjinal por po bëhet shoqërisht i pranueshëm. Gjithashtu është e rëndësishme që ndalesat janë të gërshetuara me stagnimin ekonomik,“ theksoi Grashchenko dhe shpjegoi: Shoqëria mund të tolerojë kufizime kur sheh kuptim, afat dhe kompensim. Por, kur ndjenja e përkeqësimit të ekonomisë personale i shtohet kufizimeve, nuk ka mobilizim, por një tjetërsim të heshtur.


Rejtingu i Putinit ka rënë në 12 nga 14 javët që nga fillimi i vitit. Ai së fundmi foli për herë të parë për kufizimet në internet, duke bërë të qartë se Kremlini nuk ka plane për t’i zbutur ato. „Prioritet do të jetë gjithmonë garantimi i sigurisë,“ tha Putin, duke shtuar se „disa ndërprerje“ të internetit lidhen me luftën kundër terrorizmit dhe se qeveria e shërbimet e sigurisë duhet të sigurojnë qasje vetëm në një listë të kufizuar faqesh që autoritetet u lejojnë qytetarëve.


Autoritetet vazhdimisht e shpjegojnë ndërprerjen e internetit ose lidhjes celulare me “masa sigurie”, por kjo formulë do të ishte më e sinqertë nëse do të shtohej një fjalë – “masa për garantimin e sigurisë së Putinit”, shkroi politologu Abbas Gallyamov në Telegram. „Gjithçka që regjimi po bën tani bëhet me një qëllim të vetëm – ruajtjen e pushtetit të Putinit. Për të, ruajtja e pushtetit është, mbi të gjitha, çështje sigurie. Ai ka krijuar aq shumë armiq dhe ka kryer aq shumë veprime, saqë mund të ndihet relativisht i sigurt vetëm nëse i gjithë sistemi punon për ta mbrojtur atë,“ vlerëson Gallyamov.

Lajme të fundit: