Kërko

Shporta e blerjeve

Artikuj të ruajtur

Ju nuk keni shtuar ende asnjë artikull në faqerojtësit tuaj!

Shfletoni artikujt
RAJON/BOTE 9 MIN LEXIM

Kur Nafta, Gjeografia dhe Politika Takohen: Çfarë rrezikon bota nga përplasja Iran–SHBA

Shkruan: Nefail Emini 


Tensionet ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë rritur ndjeshëm nivelin e pasigurisë në Lindjen e Mesme dhe po krijojnë një ambient që gjithnjë e më shumë perceptohet si pararendës i një përplasjeje ushtarake. Një konflikt i tillë do të prodhonte tronditje të fuqishme gjeopolitike, jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në shkallë globale. Kjo lidhet drejtpërdrejt me faktin se Irani përfaqëson një shtet me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike, falë gjeografisë së tij unike, demografisë së madhe dhe strukturës etnike të larmishme, të cilat ndërthuren me interesa të shumta të fuqive botërore.

Pozita gjeografike e Iranit e vendos atë në qendër të ndërveprimit mes Lindjes së Mesme, Euroazisë dhe Nënkontinentit Indian, duke e shndërruar në një nyje strategjike të domosdoshme për rrugët tregtare, energjetike dhe ushtarake. Në të njëjtën kohë, përbërja e tij demografike dhe etnike përbën një faktor të ndjeshëm destabilizimi potencial, pasi çdo përkeqësim i situatës së brendshme do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për shtetet fqinje dhe do të prodhonte efekte zinxhirore në të gjithë Lindjen e Mesme. Një element tjetër thelbësor që e rrit peshën e Iranit në marrëdhëniet ndërkombëtare janë pasuritë e tij të mëdha energjetike të naftës dhe gazit natyror, të cilat e kanë shndërruar në një aktor kyç të tregut energjetik global. Po ashtu, Ngushtica e Hormuzit përfaqëson një aset gjeopolitik me rëndësi të jashtëzakonshme, duke i dhënë Teheranit një ndikim në politikën globale që vetëm pak shtete e zotërojnë.

Duke marrë parasysh këta faktorë, një luftë mes Uashingtonit dhe Teheranit do të kishte pasoja gjeopolitike të thella, të afta të trondisin themelet e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

 

Gjeografia e Iranit

Irani zotëron një gjeografi të jashtëzakonshme, e cila e bën atë një aktor me ndikim jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në raport me Evropën, Nënkontinentin Indian dhe Rusinë. Ai kufizohet me Armeninë dhe Azerbajxhanin në veriperëndim, Turkmenistanin në verilindje, Afganistanin në lindje, Pakistanin në juglindje, Irakun në perëndim dhe Turqinë në veriperëndim. Ky pozicion e vendos Iranin në një nga kryqëzimet më të rëndësishme strategjike globale, si një pykë gjeopolitike mes botës arabe, turke, ruse dhe indiane.

Me një sipërfaqe prej 1,648,195 kilometra katrorë, një vijë bregdetare prej rreth 2,440 kilometrash dhe kufij tokësorë që shtrihen në afërsisht 5,894 kilometra, Irani përfaqëson një hapësirë gjeografike me potencial të jashtëzakonshëm strategjik. Ai shërben si një pikë kyçe tranziti që lidh Lindjen e Mesme, Gjirin Persik, Azinë Qendrore, Kaukazin dhe Nënkontinentin Indian, duke pasur akses në tri hapësira ujore strategjike: Detin Kaspik, Gjirin Persik (Detin Arab) dhe Detin e Omanit. Në këtë mënyrë, Irani përbën urën lidhëse mes Oqeanit Indian dhe Detit Kaspik, duke luajtur një rol qendror në lidhjen e hapësirës euroaziatike.

Kjo pozitë gjeografike ka mundësuar që Irani të shndërrohet në një nyje kyçe të projekteve strategjike ndërkombëtare, ndër të cilat spikat Korridori Ndërkombëtar i Transportit Veri–Jug (INSTC), një rrugë tregtare multimodale me gjatësi mbi 7,200 kilometra, që lidh Indinë me Rusinë dhe Evropën përmes territorit iranian. Mallrat që transportohen nga Mumbai drejt Moskës, për shembull, mund të arrijnë destinacionin deri në 40% më shpejt dhe me rreth 30% kosto më të ulët krahasuar me itinerarin tradicional përmes Kanalit të Suezit.

Sipas Bankës Euroaziatike të Zhvillimit, deri në vitin 2030 përmes INSTC pritet të transportohen mbi 30 milionë tonë mallra në vit, duke i gjeneruar Iranit rreth 1.5 miliardë dollarë të ardhura nga tranziti. Në të njëjtën kohë, ky korridor përfaqëson një alternativë strategjike për shtetet që synojnë të reduktojnë varësinë nga rrugët tregtare të kontrolluara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë. Që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, Rusia i ka dhënë përparësi zhvillimit të këtij korridori, duke e parë atë si një mjet për të lidhur tregjet e saj me Indinë, Azinë Qendrore dhe Gjirin Persik, duke anashkaluar Evropën. Kjo dinamikë i ka dhënë Iranit një avantazh të fuqishëm gjeopolitik, të cilin ai po e shfrytëzon për të maksimizuar përfitimet ekonomike dhe politike nga Moska dhe Nju Delhi njëkohësisht.

 

Demografia si Faktor i Fragmentarizimit Gjeopolitik të Iranit

Irani është shteti me popullsinë më të madhe në Lindjen e Mesme. Megjithatë, autoritetet iraniane kanë treguar një prirje për të mos e theksuar publikisht numrin e saktë të popullsisë, kryesisht për shkak të përbërjes së saj etnike të larmishme, e cila e bën gjeopolitikën demografike të vendit veçanërisht të brishtë. Sipas vlerësimeve të ndryshme, Irani ka rreth 90 milionë banorë, por vetëm rreth 51% e tyre janë persianë, çka nënkupton se gati gjysma e popullsisë i përket grupeve të tjera etnike.

Azerët përbëjnë grupin më të madh etnik pas persianëve, duke përfaqësuar rreth 25% të popullsisë, ose 15–20 milionë banorë, të përqendruar kryesisht në rajonin e njohur si Azerbajxhani Iranian, përgjatë kufirit me Azerbajxhanin dhe Armeninë. Edhe pse deri më tani azerët nuk kanë shfaqur prirje të forta separatiste, një përshkallëzim i krizës së brendshme në Iran mund të ndryshojë këtë realitet dhe të nxjerrë në pah kërkesa për bashkim me Azerbajxhanin.

Kurdët përbëjnë grupin e dytë më të madh etnik, me një popullsi të vlerësuar nga 10 deri në 15 milionë banorë, ose 12–17% të totalit. Ata janë të vendosur kryesisht në veriperëndim të Iranit, në kufi me Turqinë dhe Irakun. Krijimi i Republikës së Mahabadit në vitin 1946, me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik, mbetet një simbol historik i aspiratave kurde për shtetësi. Në rast të një fragmentarizimi të Iranit, kurdët do të kërkonin krijimin e një shteti të pavarur, çka do të përbënte një kërcënim serioz për integritetin territorial të Turqisë, Sirisë dhe Irakut.

Balukët përbëjnë grupin e tretë etnik, me rreth 2–4 milionë banorë, ose 2–5% të popullsisë. Ata janë kryesisht sunitë dhe jetojnë në rajonin e Baluçistanit, në kufi me Afganistanin dhe Pakistanin. Duke qenë se 6 milion balukë jetojnë në Pakistan dhe 600.000 në Afganistan, ku kërkesa për një Balochistan të bashkuar dhe të pavarur përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e tyre, duke shpjeguar shqetësimin e thellë të Islamabadit dhe Kabulit për zhvillimet në Iran.

Arabët përbëjnë një tjetër grup të rëndësishëm etnik, me 1.6–4 milionë banorë, të përqendruar kryesisht në provincën Khuzestan. Ky rajon është zemra e industrisë energjetike iraniane, duke prodhuar mbi 80% të naftës bruto dhe rreth 20% të gazit natyror të vendit. Khuzestani ka një histori të gjatë autonomie, e njohur si Emirati i Arabistanit, i cili ekzistoi deri në vitin 1925, kur u shpërbë nga qeveria e Reza Shahit. Në rast të përkeqësimit të situatës politike, ky rajon ka potencial real për të kërkuar autonomi nga pushteti qendror.

 

Pasuritë Energjetike të Iranit

Nafta ka revolucionarizuar industrinë moderne dhe ka marrë një rol qendror në rivalitetet gjeopolitike globale. Lindja e Mesme përfaqëson rajonin me rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në botë, duke zotëruar mbi 48% të rezervave globale të naftës dhe rreth 40% të gazit natyror. Nafta u zbulua për herë të parë në këtë rajon pikërisht në Iran, në vitin 1908, ndërsa prodhimi filloi në vitin 1911 nën kompaninë Anglo-Persiane.

Irani disponon rreth 208 miliardë fuçi nafte, që përbëjnë 16.8% të rezervave globale, duke u renditur i treti në botë pas Venezuelës dhe Arabisë Saudite. Aktualisht, ai prodhon rreth 3.5 milionë fuçi në ditë, ose rreth 4% të prodhimit botëror. Përveç naftës, Irani zotëron edhe 1.183 trilion metra kub gaz natyror, ose 17% të rezervave globale, duke u renditur i dyti pas Rusisë. Kina është importuesi kryesor i naftës iraniane, duke përthithur rreth 97% të eksporteve të saj në vitin 2024.

 

Ngushtica e Hormuzit: Arterie Vitale e Energjisë Globale

Përveç rolit të tij si fuqi energjetike, Irani gëzon edhe një avantazh të jashtëzakonshëm gjeografik përmes kontrollit të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugëkalimet ujore më të rëndësishme në botë. Pjesa më e madhe e naftës dhe gazit që prodhohet në Iran, Arabinë Saudite, Katar, Kuvajt, Irak, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman transportohet përmes kësaj ngushtice. Çdo ditë, rreth 17 milionë fuçi nafte, ose 20–30% e konsumit global, si dhe 20 deri në 22 %kalojnë përmes Hormuzit, së bashku me rreth një të tretën e gazit natyror botëror. Një mbyllje e kësaj rruge do të kishte pasoja katastrofike për ekonomitë e vendeve të Gjirit Persik dhe për tregun global të energjisë.

 

Ndikimet e mundshme të luftës në tregun energjetik global

Duke marrë parasysh peshën e konsiderueshme energjetike të Iranit, një luftë në shkallë të gjerë që do të përfshinte edhe sulme ndaj instalimeve të tij energjetike do të kishte pasoja të thella dhe potencialisht destabilizuese për ekonominë globale. Siç u theksua edhe më lart, një konflikt i plotë ushtarak do të çonte në rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës dhe gazit natyror. Sipas parashikimeve, çmimi i një fuçie nafte mund të arrijë nga 100 deri në 150 dollarë, ndërsa një luftë e kufizuar do të sillte një rritje më modeste, prej rreth 5 dollarësh për fuçi.

Në një skenar të tillë, nga tregu global mund të tërhiqen deri në 3.5 milionë fuçi nafte në ditë, çka përfaqëson afërsisht 3.5% të prodhimit total botëror të naftës. Paralelisht, Irani ka kërcënuar se mund të sulmojë instalimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në vendet fqinje, por nuk përjashtohet as mundësia e goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike të Arabisë Saudite, Katarit, Kuvajtit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Një zhvillim i tillë do të shkaktonte një tronditje të rëndë në tregjet energjetike globale.

Po ashtu, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit do të kishte ndikime jashtëzakonisht serioze. Sipas disa skenarëve analitikë, një veprim i tillë do të mund të çonte në rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit natyror deri në 50%, duke përshkallëzuar ndjeshëm pasigurinë ekonomike dhe energjetike në nivel ndërkombëtar.

Vendosja e një pranie të konsiderueshme ushtarake amerikane në Gjirin Persik, në afërsi të Iranit, e bën të prekshme mundësinë e një konfrontimi ushtarak. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky konfrontim do të marrë përmasa të gjera apo do të mbetet i kufizuar dhe i lokalizuar. Kjo varet jo vetëm nga zhvillimet në terren, por edhe nga dinamika e diplomacisë ndërkombëtare, presionet e aleatëve të Uashingtonit në rajon, si dhe nga qëndrimet që do të mbajnë Kina dhe Rusia, dy aktorë të mëdhenj që preken drejtpërdrejt nga kjo situatë gjeopolitike.

 

 

Artikulli i mëparshëm
Dy shpërthime të fuqishme në Iran: 5 të vrarë, 14 të plagosur
Artikulli tjetër
Të shtëna në Prishtinë: Tre të lënduar nga incidenti me armë zjarri

Lajme të fundit: