Kërko

Shporta e blerjeve

Artikuj të ruajtur

Ju nuk keni shtuar ende asnjë artikull në faqerojtësit tuaj!

Shfletoni artikujt
MAQEDONI 3 MIN LEXIM

LSDM: VMRO e lidhur ngushtë me Alta Bankën e mikut të Vuçiçit

Lidhjet mes pushtetit aktual në Maqedoninë e Veriut dhe Alta Bankës po thellohen, ndërsa institucionet kompetente vazhdojnë të heshtin, akuzon LSDM. Sipas kësaj partie, veprimet e fundit të Shteteve të Bashkuara kundër korrupsionit dhe Ligji Special Amerikan për Ballkanin Perëndimor janë sinjal i qartë se fokusi ndërkombëtar po rikthehet fuqishëm te sanksionimi i korrupsionit dhe krimit në rajon.

LSDM thekson se kjo është veçanërisht e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut për shkak të, siç thuhet, lidhjeve dhe ndërlidhjeve të pushtetit aktual, të cilat, sipas tyre, janë zbuluar plotësisht nga ekipi antikorrupsion i LSDM-së.

Partia opozitare rikujton se ka publikuar një skandal serioz lidhur me marrëveshje të dyshimta për marrjen e Stopanska Banka AD Bitola nga Alta Banka, institucion që në opinionin publik njihet si i afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe strukturat e SNS-së.

“Bankieri i Vuçiqit u bë bankier edhe i Mickoskit në Maqedoni”, thuhet në reagim.

Për këtë rast, LSDM ka kërkuar që Drejtoria për Inteligjencë Financiare dhe Policia Financiare të hapin hetim dhe të shqyrtojnë në detaje prejardhjen e mjeteve financiare, por deri më sot, sipas LSDM-së, nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet përgjegjëse.

Sot, LSDM pretendon se ka zbuluar lidhje të reja mes Alta Bankës dhe strukturave, financuesve dhe funksionarëve të VMRO-DPMNE-së. Në ekipin menaxhues të bankës figuron emri i Lidija Nedelkova, për të cilën LSDM pyet nëse bëhet fjalë për të njëjtën figurë simbol të të ashtuquajturit “gjyqësor Swarovski” nga koha e Nikola Gruevskit, e cila ishte shkarkuar nga Këshilli Gjyqësor.

Në Këshillin Mbikëqyrës ndodhet Stevço Jollakovski, i afërm familjar i Pançe Toshkovskit, ministër aktual në qeverinë e Hristijan Mickoskit.

LSDM përmend edhe Marjan Zakevin, anëtar i ekipit menaxhues, i cili në të kaluarën ka qenë pronar dhe drejtues i një kompanie ku në vitin 2014 ka hyrë “Exico” Shkup – kompani e njohur në opinion për struktura offshore dhe lidhje biznesi me rrethe të afërta me Mijallkovin dhe Kamçevin, si dhe për rastin “Perandoria”.

Sipas LSDM-së, mozaiku plotësohet edhe me zgjedhjen e Maja Kadievska Vojnoviç, ish-anëtare e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, si anëtare e Bordit Drejtues të bankës nga Manastiri.

“Kjo është një rreze X e një strukture të tërë – dëshmi direkte për lidhjet mes Alta Bankës dhe VMRO-DPMNE-së, financuesve dhe funksionarëve të kësaj partie”, thuhet në reagim.

LSDM ngre pyetjen nëse për këtë arsye Prokuroria Publike hesht dhe nuk ndërmerr asnjë veprim, si dhe pyet publikisht nëse kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka të hapur llogari në Alta Bankë.

Duke iu referuar informacioneve të publikuara më herët për pagesa në fonde investuese në Serbi, të lidhura me struktura të afërta me SNS-në, LSDM kërkon përgjigje nëse ndonjë funksionar, anëtar apo bashkëpunëtor i afërt i VMRO-DPMNE-së ka investuar ose ka transferuar mjete në këto fonde.

“Presim përgjigje dhe përgjegjësi. Kjo çështje nuk ka përfunduar”, përfundon reagimi i LSDM-së./koha.mk

Lajme të fundit: