Kërko

Shporta e blerjeve

Artikuj të ruajtur

Ju nuk keni shtuar ende asnjë artikull në faqerojtësit tuaj!

Shfletoni artikujt
SHQIPERI 4 MIN LEXIM

Mitsotakis “thumbon” Ramën për deklaratat e fundit

Deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama në një forum ndërkombëtar në Abu Dhabi kanë shkaktuar reagime dhe tensione në Greqi.


Në një intervistë për stacionin televiziv Alpha mëngjesin e sotëm, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i është referuar mes të tjerash edhe deklaratave të homologut shqiptar në lidhje me origjinën e grekeve.

Mitsotakis i ka cilësuar deklaratat e Ramës si “të papërshtatshme” dhe një “deklaratë të gjykuar gabimisht”, duke theksuar se ato nuk kontribuojnë në klimën e bashkëpunimit mes dy vendeve. Mitsotakis nënvizoi se kishte vënë re edhe një përpjekje të mëvonshme të Ramës për korrigjim, por pa i dhënë rëndësi të veçantë.


“E njoh z. Rama prej shumë vitesh, ai ka një mënyrë të veçantë të shprehuri dhe shpesh herë i shpëtojnë gjëra që nuk do të duhej t’i thoshte. Këtë herë tha një fjalë të rëndë dhe e kuptoi gabimin e tij. Unë po mbaj parasysh korrigjimin që bëri, ishte një deklaratë e papërshtatshme dhe më mirë ta lëmë pas”, tha ai.


Kryeministri grek për deklaratat e Ramës, Mitsotakis:

Qëndrimi i kryeministrit grek është interpretuar nga mediat dhe qarqet politike në Athinë si një injorim i retorikës së Ramës, i cili sipas kritikëve shpesh përdor deklarata të tilla për konsum të brendshëm apo për të tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pa llogaritur pasojat diplomatike.

Deklaratat e Ramës lidhur me marrëdhënien mes grekëve modernë dhe atyre të lashtë kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik grek, duke u parë si të panevojshme dhe provokuese në një moment kur marrëdhëniet dypalëshe kërkojnë maturi dhe seriozitet.

Ky debat vjen pas kritikave të forta të bëra në mediat greke për kryeministrin Ed Rama, pas komentit të tij ndaj gazetarit greko-amerikan John Defterios, gjatë një paneli të zhvilluar në Abu Dhabi.


“Mendoni se keni monopol mbi filozofinë dhe jeni trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”, është kjo deklarata e shkëputur nga Edi Rama, i cili iu drejtua gazetarit greko-amerikan John Defterios pasi ky i fundit i shqiptoi emrin gabim.


Ndërsa Mitsotakis zgjodhi një gjuhë të përmbajtur, kritikat indirekte ndaj Ramës ishin të qarta: Athina zyrtare nuk e konsideron këtë lloj diskursi si pjesë të dialogut të dobishëm mes dy vendeve fqinje, duke lënë të kuptohet se Tirana duhet të tregojë më shumë përgjegjësi në komunikimin publik.


Një ditë më parë vetë Rama reagoi duke thënë se tonet e tij nuk kanë qenë aspak tendencioze, por vetëm humor miqësor.


“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!


Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh”, shkruan Rama.


Kreu i qeverisë shqiptare shton më tej: Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë! U kuptuam? Shpresoj po", tha ai.

Në fund Rama e mbyll me një ‘qartësim’.

“Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit! Kaq”, shkruan Rama./oranews

Lajme të fundit: