Kërko

Shporta e blerjeve

Artikuj të ruajtur

Ju nuk keni shtuar ende asnjë artikull në faqerojtësit tuaj!

Shfletoni artikujt
SHQIPERI 2 MIN LEXIM

Prodhimet ushtarake “Made in Albania” nisin këtë vit

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njofton nënshkrimin e gjashtë kontratave shtet-privat për municione, pajisje ushtarake, dronë dhe sisteme anti-dron.

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi të premten projektligjin “Për importin, eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”, ku në fokus ishte edhe zhvillimi i industrisë vendase të mbrojtjes.

Gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bëri të ditur se aktualisht janë nënshkruar gjashtë kontrata për krijimin e gjashtë kompanive të përbashkëta shtet-privat, përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe gjashtë operatorëve privatë.

Sipas ministrit, këto kontrata parashikojnë prodhimin në Shqipëri të municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve anti-dron si dhe mjeteve për emergjencat civile.

“Presim që produktet e para ‘Made in Albania’ për disa nga këto nënprodukte konkretisht mjetet taktike, mjetet e emergjencave, uniformat dhe municionet – të nisin prodhimin që këtë vit”, u shpreh zyrtari i lartë.

Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes, ka hyrë në një fazë të re, e cila synon garantimin e një zinxhiri furnizimi të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet e prodhimit ushtarak.

“Kjo është e domosdoshme për të qenë plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s dhe me politikat e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit tonë”, nënvizoi ministri.

Zhvillimi i industrisë vendase të mbrojtjes shihet nga Qeveria si një hap strategjik për forcimin e kapaciteteve kombëtare, rritjen e autonomisë prodhuese dhe përfshirjen e Shqipërisë në zinxhirët modernë të industrisë së sigurisë.

Artikulli i mëparshëm
Çfarë dihet për shtetasin e Bosnjës që u kap nga Ukraina si mercenar rus?
Artikulli tjetër
Ivanka Trump ndan foto nga Zvërneci: Shqipëria është magjike

Lajme të fundit: