Kërko

Shporta e blerjeve

Artikuj të ruajtur

Ju nuk keni shtuar ende asnjë artikull në faqerojtësit tuaj!

Shfletoni artikujt
MAQEDONI 2 MIN LEXIM

Pushteti pa sovranitet dhe gjykimi i historisë!

Shkruan: Zydi Xhelili


Historia shqiptare është e mbushur me figura që kanë mbajtur poste të larta, por jo domosdoshmërisht edhe përgjegjësi kombëtare. Gjatë sundimit osman, pashallarë, vezirë, bejlerë e vali shqiptarë ishin pjesë e hierarkisë së Perandorisë dhe, si të tillë, vepronin si vazalë të Portës së Lartë. Interesat që mbronin ishin kryesisht interesat e perandorisë dhe karriera e tyre personale, shpeshherë në dëm të interesit të kombit të vet. Si të tillë, ata nuk mund të trajtohen nga historia si përfaqësues të aspiratave kombëtare shqiptare.


Një logjikë e ngjashme vlen edhe për periudhën jugosllave. Figura si Sinan Hasani, Rahman Morina apo Ali Shukria mbetën në kujtesën historike si funksionarë lojalë të sistemit, jo si mbrojtës të të drejtave të shqiptarëve. Megjithatë, historia ka ditur të bëjë dallime. Në të njëjtin sistem pati edhe funksionarë shqiptarë si Mahmut Bakalli,Xhavit Nimani, Azem Vllasi, Kaqusha Jashari apo Remzi Kolgeci, të cilët, brenda kufijve të ngushtë të një regjimi represiv, u përpoqën të mbronin apo të zgjerojnë hapësirën politike, kulturore dhe institucionale të popullit të vet.


Ky dallim është thelbësor edhe për gjykimin e figurave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut pas komunizmit. Pyetja nuk është kush ka qenë në pushtet, por çfarë ka bërë me pushtetin. A e kanë përdorur atë për ta ndryshuar sistemin në favor të barazisë reale, apo vetëm për ta administruar një status të pabarabartë?


Figura si Arbën Xhaferi do të mbeten në histori si artikulues të qartë të çështjes shqiptare, një mendje politike që i dha gjuhë dhe kuptim kërkesës për barazi, edhe pse pa instrumente të forta ekzekutive.

Ali Ahmeti, nga ana tjetër, do të vlersohet në dy plane: si udhëheqës i konfliktit të vitit 2001 dhe si aktor i kompromisit institucional.

Bilanci historik i tij do të varet nga pyetja nëse Marrëveshja e Ohrit u shndërrua në barazi substanciale apo në mekanizëm të pushtetit.


Historia nuk është e pamëshirshme, por është e ftohtë. Ajo nuk i dënon automatikisht ata që hyjnë në pushtet, por as nuk i amniston ata që pushtetin e përdorin për interesa personale apo partiake. Ata që normalizuan nënshtrimin do të mbeten shënim në fund të faqes. Ata që lanë gjurmë institucionale dhe vetëdije politike, edhe me gabime, do të mbijetojnë në kujtesën kolektive. Në fund, gjykimi historik nuk bëhet në kohë mandati, por në kohë pasojash.

Artikulli i mëparshëm
Mbi 11 milionë udhëtarë në 2025, Rama: Tirana Airport i pari në rajon
Artikulli tjetër
Avioni i Wizz Air nga Shkupi drejt Parisit bën ulje emergjente në Bruksel

Lajme të fundit: