Kërko

Shporta e blerjeve

Artikuj të ruajtur

Ju nuk keni shtuar ende asnjë artikull në faqerojtësit tuaj!

Shfletoni artikujt
MAQEDONI 5 MIN LEXIM

Shofersit, kujdes! “Safe City” nesër hyn në fuqi

Nga nesër 1 shkurt, në Maqedoninë e Veriut nis zyrtarisht zbatimi i sistemit “Safe City”, duke i dhënë fund paralajmërimeve dhe testimeve.

Kamerat e trafikut tashmë do të regjistrojnë dhe ndëshkojnë automatikisht shkeljet, pa ndalime nga Policia dhe pa kontakt të drejtpërdrejtë me shoferët.

Kamerat e trafikut të vendosura në pika kyçe në Shkup, Kumanovë, Tetovë dhe Korridoret 8 dhe 10, do të regjistrojnë automatikisht shkeljet, ndërsa gjobat do të dërgohen pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Policisë.

Pronarët e veturave në Maqedoninë e Veriut përmes sistemit Qyteti i Sigurt krahas procesverbalit elektronik për shkeljet në trafik, do të pranojnë edhe fotografi.

Siç dihet, në fillim do të sanksionohen vetëm 4 kundërvajtje:

-parkim i parregullt,

-tejkalim i shpejtësisë,

-kalim në të kuqe dhe

-drejtim i automjetit me regjistrim të skaduar.

Sistemi shumë shpejt do të regjistrojë edhe përdorimin e celularit dhe mospërdorimin e rripit të sigurimit.

Në procesverbalin që qytetarët e marrin përmes linkut me sms dhe në adresën e-mail (të cilën pronari e ka dorëzuar gjatë regjistrimit) shkruan se cila kundërvajtje, kur dhe ku është kryer, si dhe gjoba që duhet paguar.

Gjoba do mund të paguhet në mënyrë elektronike, në postë dhe në bankë.

Nëse pronari i automjetit e paguan gjobën brenda tetë ditëve, do ta paguajë vetëm gjysmën e saj.

Nëse ka kaluar afati prej tetë ditësh për ta paguar gjysmën e gjobës, qytetarët mund ta paguajë vlerën e plotë të gjobës së shqiptuar më së voni brenda tetë ditëve pas skadimit të afatit për pagesën e gjysmës, para procedurës së përmbarimit.

Nëse gjoba paguhet brenda këtyre afateve, atëherë nuk paguhen shpenzime shtesë.

Megjithatë, në rastin kur autori nuk do të pajtohet me kundërvajtjen, edhe procesverbali për kundërvajtje rrugore edhe urdhërpagesa për kundërvajtje do të dorëzohen në gjykatën themelore dhe atëherë procesverbali paraqet kërkesë për inicimin e procedurës kundërvajtëse.

Ndërkaq nëse bëhet fjalë për veprën penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“, atëherë rastin do ta marrë përsipër prokuroria publike.

Shkeljet që do të kryhen me automjete me targa të huaja, MPB-ja ka sqaruar se shoferët nuk do të ndalohen gjatë daljes nga shteti, por nuk do mund të hyjnë përsëri në kufi pa mos e paguar gjobën.

Në ndërkohë në vend filluan të paraqiten edhe mesazhe dhe emaile të rreme kinse vijnë nga Qyteti i Sigurt. SMS-të e vërteta qytetarët mund t’i dallojnë nga fakti se dërguesi është gjithmonë “MVR-SC”, linku për procesverbalin ka formatin https://safecountry.mvr.gov.mk…, si dhe në tekst gjithmonë është e shënuar targa e automjetit.

Si janë gjobat, çmimet?

Në bazë të zbatimit praktik të Ligjit për Siguri në Komunikacion në Maqedoninë e Veriut, gjobat variojnë nga 15 euro për shkeljet më të lehta, deri në 300 euro dhe ndalim të patentës nga 3 deri në 12 muaj për shkeljet e rënda.

SHPEJTËSIA – SHKELJA MË E NDËSHKUAR

Brenda vendbanimit:

• Deri 10 km/h mbi limit

15 € gjobë – pa ndalim patente

• 30 – 50 km/h mbi limit

50 € gjobë – pa ndalim patente

• Mbi 50 km/h mbi limit

300 € gjobë + ndalim patente 3–12 muaj

Jashtë vendbanimit:

• Deri 30 km/h mbi limit

20 € gjobë – pa ndalim patente

• 30 – 50 km/h mbi limit

50 € gjobë – pa ndalim patente

• 50 – 70 km/h mbi limit

300 € gjobë + ndalim patente 3–12 muaj

SEMAFORI (E KUQE / E VERDHË)

• Shoferi

250 € gjobë + ndalim patente 3–12 muaj

• Këmbësori

50 € gjobë

VOZITJA NËN NDIKIMIN E ALKOOLIT

• Nga 0.5 promil e lart

250 – 400 € gjobë + ndalim patente 3–12 muaj

• Në rast rrezikimi serioz ose aksidenti

Procedurë penale + arrestim i përkohshëm

MOSDHËNIA E PËRPARËSISË SË KALIMIT

300 € gjobë + mundësi ndalim patente

KTHESA DHE RRETHRROTULLIMI

• Kthesë gjysmë-rrethore e ndaluar

45 € gjobë

• Shkelje në rrethrrotullim

45 € gjobë

NISJE E SHPEJTË / FRENIM I RËNDË

25 – 45 € gjobë

NDALIM OSE PARKIM I NDALUAR

25 – 150 € gjobë

PARAKALIM OSE ANASHKALIM I NDALUAR

35 – 250 € gjobë

SHKELJE TË TJERA TË PESHTA

• Telefon gjatë vozitjes

45 € gjobë

• Mosvendosje e rripit të sigurimit

20 € gjobë

• Lëvizje pa drita gjatë ditës

15 € gjobë

KUR MERRET PATENTA 3–12 MUAJ

Ndalimi i patentës zbatohet në rastet:

✔ Tejkalim ekstrem i shpejtësisë

✔ Kalim në semafor të kuq

✔ Vozitje nën ndikimin e alkoolit

✔ Përsëritje të shkeljeve të rënda

✔ Shkaktim aksidenti me lëndime

KUR PASON ARRESTIM

✔ Vozitje pa patentë

✔ Alkool në gjak mbi kufijtë ekstremë

✔ Aksidente me pasoja të rënda për jetën

ULJA E GJOBËS

Nëse gjoba paguhet brenda 8 ditëve, në shumë raste:

shuma zvogëlohet deri në 50%

Deputetët e Maqedonisë së Veriut më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin mundësohet që sistemi Qyteti i Sigurt të hyjë në fuqi nga 1 shkurti.

Vlen të theksohet se ligjet që përbëjnë sistemin në fjalë tashmë janë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga disa eksponentë politikë. (INA)

Artikulli i mëparshëm
Kurti “dakordohet” me Osmanin për postin e presidentit?
Artikulli tjetër
OBSH: Rreziku i përhapjes së virusit Nipah përtej Indisë mbetet i ulët

Lajme të fundit: